Pikat e Interesit
II – Gjurma e Shenjtë
Lisat e Kalenjës, Mali Shëndëlli, kodrat e Mallakastrës dhe liqenet e Lumarës, Gjurma e Shenjtë dhe Lisi i Vakëfit, përgjatë Itinerarit II.
Pesë pika interesi përgjatë Itinerarit II, nga Ballshi në Cërrilë (Bardhaj).
Lisat e Kalenjës
- Tipologjia
- Monument natyre (kategoria e III)
- Vendndodhja
- Rreth 7 km, në afërsi të rrugës kryesore Ballsh–Aranitas, në mjediset e shkollës 9-vjeçare të fshatit Panahor
- Koordinatat
- 40.604730, 19.774503
Lisat e Kalenjës përbëjnë një grup prej 21 lisash, rreth 150-vjeçarë, që ndodhen në fshatin Panahor, përgjatë rrugës Ballsh–Aranitas. Të vendosur në një lartësi prej rreth 200 m mbi nivelin e detit, ata kanë një diametër mesatar të trungut prej afërsisht 93 cm dhe një lartësi prej 13–16 m.
Këta lisa paraqesin interes të veçantë për turizmin natyror dhe lokal, si dhe për vlerat e tyre kulturore. Mjedisi përreth ofron mundësi për ekskursione dhe aktivitete artistike, historike e sportive. Prania e shkollës 9-vjeçare të Panahorit në afërsi krijon gjithashtu mundësi për veprimtari edukative që i njohin nxënësit me natyrën dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.
Infrastruktura e mirë rrugore deri pranë këtyre monumenteve të natyrës e bën destinacionin lehtësisht të aksesueshëm për vizitorët.
1 / 4
Mali Shëndëlli
- Vendndodhja
- Shtrihet edhe në fshatin Aranitas, rreth 9 km nga qyteti i Ballshit
- Koordinatat
- 40.588069, 19.799170
Mali i Shëndëlliut është një nga pikat më të larta të Mallakastrës, me një lartësi prej rreth 714 m mbi nivelin e detit. I karakterizuar nga bimësi e ulët, ai ofron një pamje mbresëlënëse nga pjesa jugperëndimore e fshatit Aranitas dhe spikat në peizazhin e zonës.
Dikur, në një ditë të shënuar të muajit gusht, në këtë mal zhvillohej një pelegrinazh dhe festë fetare, e ngjashme me atë të malit të Tomorit në Berat. Shkatërrimi i objekteve të kultit dhe ndalimi i riteve fetare gjatë viteve 1967–1968 ndërprenë edhe këtë traditë. Festa nuk është zhvilluar më që prej asaj kohe, por ka iniciativa për rikthimin e saj, si një ngjarje me vlerë shpirtërore dhe kulturore për komunitetin vendas dhe me interes për vizitorët.
Përgjatë itinerarit, mali mund të soditet nga një largësi prej rreth 2 km. Një ndalesë e shkurtër në vendin e njohur nga banorët si "Qafa e Gjerbsit" ofron mundësinë për të shijuar panoramën dhe për të bërë fotografi. Më tej, rruga vijon drejt fshatit Gjerbës, mes kodrave të mbuluara me koçimare. Rruga automobilistike është rikonstruktuar së fundmi dhe ofron akses shumë të mirë.
1 / 2
Peizazh, Kodrat e Mallakastrës dhe Liqenet Artificiale Lumara 1 dhe Lumara 2
- Vendndodhja
- Fshati Selitë. Peizazh: Maja e Calës (40.546177, 19.854021) dhe Sheshi i Lepurit (40.543361, 19.861368). Liqenet: Lumara 1 (40.540919, 19.890819) dhe Lumara 2 (40.547634, 19.871064)
- Koordinatat
- 40.546177, 19.854021
Midis fshatrave Gjerbës dhe Selitë, në anën e sipërme të rrugës kryesore që i lidh, ndodhet një shesh panoramik nga ku mund të soditet thuajse e gjithë Mallakastra dhe zonat përreth. Pamjet e gjera të kodrinave dhe shtigjet e shumta për ecje e bëjnë këtë vend një pikë tërheqëse për ndalesa, fotografi dhe si pikënisje për aktivitete turistike, kulturore e sportive.
Duke zbritur më poshtë, vizitorët mund të arrijnë pranë liqeneve artificiale "Lumara 1" dhe "Lumara 2".
Janë dy ujëmbledhësa, apo liqenë artificialë, më të mëdhenjtë në zonën e Mallakastrës. U ndërtuan në periudhën e rregjimit komunist, si pjesë e skemës së ujitjes së tokave bujqësore, duke përmirësuar ndjeshëm potencialin hidrik dhe duke mbuluar rreth 50 përqind të sipërfaqes së punueshme në Mallakastër. Liqenet e Lumarës, vlerësoheshin në atë periudhë, për kapacitetin ujëmbajtës dhe efektivitetin e shfrytëzimit për të plotësuar nevojat e bujqësisë. Sot, situata ka ndryshuar. Liqenet "Lumara 1" dhe "Lumara 2", nuk shfrytëzohen më dhe thjesht për qëllimin për të cilin u ndërtuan, por janë shndërruar në dy hapësira ujore potenciale për zhvillimin e turizmit natyror në zonë.
Në këtë mjedis të pangjashëm, bimësia është e larmishme. Dominojnë, lisi, xana, pisha dhe bimësia shkurrore, si fieri e ferra. Zona është e pasur edhe me fruta pylli në varësi të stinës. Afërsia me fshatrat Çerrilë dhe Aranitas, të spikatura për vlerat e trashëgimisë historike, arkeologjike e shpërtore, e shndërrojnë këtë hapësirë në një mundësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e tyrizmit natyror e kulturor. ku, infrastruktura, struktura turistike, guidat e sinjalistika, duhet të shndërrohen në prioritete.
1 / 9
Gjurma e Shenjtë
- Vendndodhja
- Fshati Bardhaj, Cërrilë
- Koordinatat
- 40.534637, 19.890062
"Gjurma e Shenjtë" ndodhet në majën e një kodre në fshatin Bardhaj (Cërrilë). Në sipërfaqen e një shkëmbi, të ruajtur sot brenda një tyrbeje, dallohet një thellim në formën e gjurmës së një këmbe njerëzore. Sipas gojëdhënave të banorëve, gjurma është shumë e lashtë dhe lidhet me Pejgamberin, të dërguarin e Zotit. Këto rrëfime i japin vendit një rëndësi të veçantë shpirtërore dhe kulturore.
Tradita vendase e lidh këtë vend edhe me një festë të hershme pagane, gjatë së cilës banorët mblidheshin për pelegrinazh në një ditë të caktuar të vitit. Sipas kujtesës lokale, festa u ndalua gjatë regjimit komunist, në vitin 1967, në periudhën e ndalimit të praktikave fetare dhe shkatërrimit të shumë objekteve të kultit. Që prej asaj kohe, kjo traditë ka mbetur kryesisht në harresë.
Gjurma e Shenjtë në fshatin Çërrilë në Mallakastër lidhet ngushtë me historinë e teqeve dhe traditën e tarikatit Halveti në këtë rajon.
Teqeja me këtë emër, ose Teqeja e Cërrilës, u ndërtua rreth viteve 1790–1800, nga vëllezërit Baba Sheh Dauti dhe Baba Sheh Meno, në krahun perëndimor të malit të Plashnikut.
Vendi dhe tyrbja e kësaj teqeje u shuguruan dhe u njohën zyrtarisht në kohën e Perandorisë Osmane, duke shërbyer si një qendër shpirtërore për banorët e Mallakastrës dhe zonave përreth. Shehajt e Çërrilës kanë ruajtur trashëgiminë e këtij tarikat ndër breza.
Në një mënyrë më konkrete, emërtimi "Gjurma e Shenjtë" në fshatin Çërrilë e Re (Bardhaj) në Mallakastër e ka origjinën nga një legjendë shumë e hershme dhe traditë mistike lokale, e cila transmetohet brez pas brezi në këtë zonë. Ky emërtim i referohet një vendi të shenjtëruar shpirtëror që lidhet ngushtë me Teqenë e Çërrilës (Tarikatit Halveti), që, siç e theksuam më sipër, u themelua të themeluar rreth viteve 1780–1800 nga vëllezërit shenjtorë Baba Sheh Dauti dhe Baba Sheh Meno. Sipas besimeve popullore dhe dëshmive të klerikëve të familjes Shehaj (trashëgimtarë të teqesë), vendi mban këtë emër për shkak të besimit se aty ka mbetur "gjurma" apo shenja e një fuqie hyjnore ose, e një kleriku/shenjtori të madh shpirtëror gjatë kalimit apo medinit (lutjeve) në këtë rajon mjaft të thyer malor.
Ky emërtim përkon me zonën ku ngrihej Teqeja e Çërrilës, rrëzë malit të Plashnikut, e cila u njoh dhe u shugurua zyrtarisht në kohën e Perandorisë Osmane (në qershor të vitit 1800). Për besimtarët e zonës, ky vend konsiderohet "vakëf" ose vend i bekuar, ku mbrojtja dhe mrekullitë e Baba Dautit të Çërrilës përmenden shpesh në lutjet e tyre.
Në vitin 1969, fshati i vjetër i Çërrilës (Çërrila Toskë) u zhvendos pjesërisht dhe u lidh me zonën e re, duke u njohur në traditë edhe si Çërrila e Re, ose zona e Bardhajve.
Legjenda fillimisht lidhej me zonën e Çërrilës së Vjetër (Toskë), por pasi fshati u zhvendos drejt krahut perëndimor në fshatin e ri të quajtur Çërrilë e Re, ose Bardhaj, emërtimi i vendit të shenjtë dhe ritet u mbartën bashkë me popullatën dhe pasardhësit e teqesë në këtë truall të ri.
Përveç trashëgimisë shpirtërore, destinacioni ofron një mjedis piktoresk. Ngjitja përfundimtare në këmbë, prej rreth 500 m, përshkon një zonë me pisha të buta, aroma e të cilave shoqëron vizitorët deri në majë. Aty ndodhet një shesh prej afërsisht 5 000 m², nga ku hapet një panoramë e gjerë mbi Mallakastrën dhe drejt zonave të Vlorës, Tepelenës, Beratit e Fierit. Peizazhi dhe qetësia e bëjnë këtë vend të përshtatshëm për pushim, fotografi dhe soditje të natyrës.
Ndërthurja e natyrës, gojëdhënave dhe traditës shpirtërore e bën "Gjurmën e Shenjtë" një destinacion me potencial për turizmin kulturor, fetar dhe natyror, si dhe për aktivitete edukative e sportive në natyrë.
Sot, ky destinacion vizitohet nga besimtarë që kërkojnë mbarësi, duke ndezur qirinj dhe duke kujtuar trashëgiminë shpirtërore të të parëve.
1 / 10
Lisi i Vakëfit
- Tipologjia
- Monument natyre (kategoria e III)
- Vendndodhja
- Fshati Cërrilë, Njësia Administrative Selitë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier
- Koordinatat
- 40.531908, 19.890346
Lisi i Vakëfit ndodhet në fshatin Bardhaj (Cërrilë), rreth 640 m mbi nivelin e detit, në faqen jugperëndimore të kodrës së "Gjurmës së Shenjtë", afërsisht 300 m larg këtij destinacioni. Me një moshë të vlerësuar prej rreth 450 vjetësh dhe një lartësi prej afërsisht 22 m, ai përbën një monument natyror me interes të veçantë për vizitorët.
Lisi spikat për trungun e tij masiv dhe degët e trasha, të përhapura e me forma të çrregullta. Ai qëndron i veçuar mes bimësisë përreth, të përbërë kryesisht nga pisha, duke krijuar një pamje të veçantë në peizazhin e zonës. Sipas banorëve vendas, kurora e tij mbetet e gjelbër gjatë gjithë vitit. Kjo veçori, e përcjellë nga dëshmitë lokale, mbetet për t'u studiuar më tej.
Sipas gojëdhëniave, rreth 300 vite më parë, nën kurorën e këtij lisi, pushonte një njeri i shenjtë, i lodhur dhe i rraskapitur nga vapa. Pasi u çlodh, ai u ripërtëri dhe u mbush me jetë. Ai uroi, mos u thafsh kurrë o lis. Dhe, Zoti e dëgjoi lutjen e tij. Prej 300 vitesh, ky lis vazhdon të jetë i gjelbër, madhështor dhe me një pamje magjepsëse, në një sfond natyror të mrekullueshëm.
Afërsia me "Gjurmën e Shenjtë" krijon mundësinë për t'i vizituar të dyja pikat përgjatë të njëjtit itinerar, duke ndërthurur njohjen e natyrës me trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të zonës.
1 / 7