Pikat e Interesit
I – Antikiteti Bylin
Peizazhi i mbrojtur i Poçemit, lumi i egër Vjosa, qyteti ilir i Bylisit, Banesa e Temo Celajt në Klos dhe qyteti antik i Nikaias, përgjatë Itinerarit I.
Pesë pika interesi përgjatë Itinerarit I, një itinerar rrethor nga kryqëzimi i Poçemit përmes Hekalit dhe Klosit: peizazhi i mbrojtur i Poçemit, lumi i egër Vjosa, qyteti ilir i Bylisit, Banesa e Temo Celajt dhe qyteti antik i Nikaias.
Zona e Mbrojtur e Poçemit
- Tipologjia
- Zonë e mbrojtur
- Vendndodhja
- Rreth 1,3 km larg nga aksi rrugor Levan–Tepelenë, kur hyjmë drejt fshatit me të njëjtin emër
- Koordinatat
- 40.513017, 19.737313
Poçemi është një fshat piktoresk i vendosur në zemër të Mallakastrës, i njohur për bukuritë e tij natyrore, historinë e pasur dhe mikpritjen tradicionale. I rrethuar nga kodra dhe lugina të gjelbra, fshati ofron peizazhe të qeta dhe autentike që e bëjnë një destinacion ideal për turizmin rural dhe natyror.
Zona shquhet për trashëgiminë kulturore dhe historike, duke ruajtur tradita të vjetra, zakone popullore dhe arkitekturë karakteristike të zonës së jugut të Shqipërisë. Jeta rurale, bujqësia dhe blegtoria janë pjesë e përditshmërisë, ndërsa produktet vendase ofrojnë një përvojë unike gastronomike për vizitorët.
Poçemi është gjithashtu një pikë e përshtatshme për eksplorimin e Mallakastrës, me afërsi me vende me interes historik dhe natyror. Qetësia, ajri i pastër dhe peizazhi i hapur e bëjnë fshatin tërheqës për turistët që kërkojnë larg zhurmës urbane dhe dëshirojnë të përjetojnë Shqipërinë autentike.
Pikë me vlera të veçanta natyrore dhe peizazhore, e lidhur me ekosistemin e Vjosës dhe biodiversitetin e zonës. Ofron mundësi për njohjen e natyrës, vëzhgimin e peizazhit dhe biodiversitetit, fotografi dhe aktivitete të shumta në natyrë. Përbën një element plotësues të rëndësishëm të itinerarit "Antikiteti Bylin", duke ndërthurur trashëgiminë natyrore me atë historike e kulturore të Mallakastrës, pasi në ambjentet e këtij siti natyror zhvillohet një prej festave historike të zonës, në muajin korrik, e cila quhet: Festa e "Tre bësëlidhjeve të Pocemit". Kjo festë është me natyrë historike dhe përkon me ngjarjet historike, pikërisht me vitet 1847, 1920 dhe 1943, të cilat përcaktojnë përpjekjet e banorëve të fshatrave të krahinës së Mallakastrës kundër Reformave të Tanzimatit (1847), Luftës së Vlorës (1920) dhe pushtimit nazifashist (1943). Në kontekstin turistik, kjo festë është shndërruar edhe si një atraksion turistik për vetë bukuritë natyrore të luginës së Vjosës, e shpallur tashmë "Park Kombëtar", si dhe zonës përreth, duke kulmuar me koncerte, me gatime tradicionale të zonës, si dhe gërshetimin e ngjarjeve historike me personazhet e ngjarjeve.
1 / 5
Lumi Vjosa
- Tipologjia
- Park Kombëtar (Kategoria II), Rezervë e Biosferës e UNESCO-s
- Vendndodhja
- Rreth 0,2 km larg nga aksi rrugor Levan–Tepelenë
- Koordinatat
- 40.528428, 19.728420
Lumi Vjosa përbën një nga pasuritë natyrore më të rëndësishme të Shqipërisë dhe një element me vlerë të veçantë për zhvillimin e turizmit natyror në territorin e Mallakastrës. Më 13 mars 2023, ekosistemi natyror i Vjosës u shpall Park Kombëtar, Kategoria II, duke e vendosur lumin dhe ekosistemin e tij në një regjim të posaçëm mbrojtjeje. Vjosa konsiderohet një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës, me rrjedhje të lirë dhe një sistem lumor që, së bashku me degët e tij, shtrihet në mbi 400 km. Lumi Vjosa përshkon zonën e Mallakastrës duke hyrë nga rrepet e Vurgut në Çorrush (monumente natyrore) dhe duke përshkuar disa fshatra të zonës së Mallakastrës, për t'u derdhur në pikën e tij fundore, në detin Adriatik. Siç dhe e përmendëm më sipër, lumi Vjosa përbën një nga atraksionet natyrore më të rëndësishme të territorit, me vlera të jashtëzakonshme ekologjike, peizazhore dhe turistike. Si pjesë e Parkut Kombëtar "Vjosa Wild River", ai ofron një peizazh natyror të veçantë, të karakterizuar nga rrjedhja e lirë e ujit, brigjet dhe habitatet lumore, biodiversiteti i pasur dhe ndërveprimi i natyrës me komunitetet lokale. Përfshirja e Luginës së Vjosës në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës të UNESCO-s në vitin 2025 e ka rritur më tej rëndësinë e saj si destinacion i turizmit të qëndrueshëm. Në kontekstin e itinerarit "Antikiteti Bylin", Vjosa na shërben gjithashtu si element lidhës midis trashëgimisë natyrore, peizazhit, historisë dhe trashëgimisë kulturore të Mallakastrës, duke krijuar mundësi për përvoja të natyrës, sporteve ujore, fotografisë, interpretimit mjedisor dhe njohjes së karakterit rural të territorit.
1 / 7
Parku Arkeologjik i Bylisit
- Tipologjia
- Zonë e mbrojtur. Monument Kulture i kategorisë së I
- Vendndodhja
- Mbi fshatin Hekal, rreth 9 km nga dalja e autostradës Levan–Tepelenë
- Koordinatat
- 40.543026, 19.738586
Parku Arkeologjik Bylis, një qytet ilir dhe Zonë e Mbrojtur, është një Monument Kulture i Kategorisë I dhe Park Arkeologjik i përcaktuar. Ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 32 hektarësh mbi fshatin Hekal. Në përbërjen e tij Parku Arkeologjik Bylis përfshin nje nga qytetet më të mëdha dhe emblematike Ilire. Formimi i tij në rrjedhën e shek. V-IV p. Kr ka qenë rezultat i një zhvillimi të hershëm të jetës qytetare të nisur në qendrat protourbane të Margëllicit, Mashkjezës dhe Klosit, që nisi në mesin e shek. VII p. Kr., para themelimit të Apollonisë dhe u zhvillua nën ndikimin e saj gjatë shek. VI-V p. Kr. Të dy qytetet janë pjesë e një konstelacioni qytetar të përbërë nga katër qytete (Bylisi, Klosi, Gurëzeza dhe Margëlliçi) dhe tri kështjella (Rabie, Kalivaçi dhe Cfiri). Ai vlerësohet të jetë kompleksi më i plotë dhe më i qartë i zhvillimit urban të Ilirisë së Jugut në atë periudhë, e cila karakterizohet edhe nga formimi i Mbretërisë Ilire si një nga faktorët e rëndësishëm të Ballkanit ilir. Në këtë këndvështrim, modeli urban i Koinonit të Bylinëve është një nga treguesit më të qartë të qytetërimit antik ilir, si pjesë integrale e historisë dhe kulturës shekullore të shqiptarëve.
Në planin historik, Qyteti Antik Bylis, e ka zanafillën në mesin e shekullit të IV – të para Krishtit dhe mendohet të ketë qenë një qendër e rëndësishme deri në fundin e shekullit të VI – të pas Krishtit, pra 10 shekuj jetë. Pas këtij momenti, ky vendbanim nuk ka qenë efektiv, çka vlerësohet edhe si një faktor që e ka ruajtur atë nga dëmtimet e parikuperueshme.
Bylis ka qenë një qendër e rëndësishme deri në momentin kur u braktis. Për këtë dëshmojnë pesë bazilikat e zbuluara brenda mureve rrethuese.
Fundi i qyteti mendohet të jetë mes viteve 587-588 dhe ishte pasojë e pushtimeve barbare, kryesisht sllave. Qyteti u shkatërrua plotësisht dhe popullsia u largua. Por, ka edhe mendime që fundi i qytetit përkon me një periudhë disa shekuj më vonë.
1 / 9
Banesa e Temo Celajt
- Tipologjia
- Monument Kulture i kategorisë së I
- Vendndodhja
- Në qendër të fshatit Klos, rreth 3 km nga qendra e fshatit Hekal dhe 10 km nga qyteti i Ballshit
- Koordinatat
- 40.529735, 19.751061
Gjendet në qendrën e fshatit Klos, rreth 3 km nga qendra e fshatit Hekal dhe 10 km nga qyteti i Ballshit dhe mendohet të jetë ndërtuar qysh prej vitit 1920. Ky monument kulture, përsa i përket gjendjes fizike të tij, është në fazë restaurimi nga iniciativa private. "Banesa e Temo Celaj" është një monument kulture i një rëndësie të veçantë përsa i përket vlerave historike, të ngjarjeve të jetës në atë lloj periudhe, vlerave kulturore si dhe atyre turistike. Restaurimi dhe shndërrimi i saj në sipërmarrje turistike të tipit "muze" apo "bujtinë", siç përflitet nga banorët e zonës dhe nga pronarët të cilët e posedojnë tashmë në pronësi, do të ketë një ndikim të madh në identitetin kombëtar, zhvillimin ekonomik dhe turistik që mund të tërheqë vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj. Banesa të tilla karakteristike janë një pasuri e çmuar që ndihmojnë në ruajtjen e historisë dhe traditave shqiptare. Duke qenë fare pranë-ndodhur me "Qytetin Ilir të Bylisit" dhe me "Qytetin Antik të Nikaias", përsa i përket mundësive dhe aktiviteteve veçanërisht turistike, ky monument kulture është një aset edhe më i çmuar nëse mbi të investohet për shndërrimin e tij në aktivitet të mirëfilltë kulturor, turistik etj.
1 / 1
Qyteti Antik i Nikaias
- Tipologjia
- Monument Kulture i kategorisë së I, zonë e mbrojtur
- Vendndodhja
- 2 km larg nga qendra e fshatit Klos, Mallakastër
- Koordinatat
- 40.527239, 19.756034
Zona e Mbrojtur e Rrënojave të Klosit (Qyteti i Lashtë i Nikaias) me mure fortifikuese përreth (10m tampon). Është një Zonë e Mbrojtur dhe Monument Kulture i Kategorisë I.
Ndodhet në kodrën e fshatit të sotëm Klos në një lartësi 355 m mbi nivelin e detit dhe shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 18 hektarësh. Ky Monument Kulture, me rëndësi të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, është ende i paeksploruar siç duhet në përshtatje me vlerat që përfaqëson.
Por, pavarësisht kësaj, mendohet se, në fazën e parë të ndërtimit, muret u ngritën me blloqe trapezoidalë dhe poligonalë, ndërsa gjatë fazë së dytë, rreth 1 shekull më vonë, u plotësuan me bllloqe kuadratikë. Qyteti kishte vetëm një hyrje dhe tre kulla të vendosura në pikat më të ekspozuara të mbrojtjes.
Nga vëzhgimet në terren, rezulton se, pasuritë kulturore që përmban, duke përfshirë gjurmët e banesave të lashta, një teatër të gdhendur në shkëmb, muret rrethuese dhe struktura të tjera, janë ende në gjendje relativisht të mirë natyrore dhe fizike.
Megjithatë, shtrohet si nevojë urgjente vëmendje më e spikatur dhe investime më të mëdha në këtë pasuri me vlera arkeologjike, me qëllim transformimin e tij në një destinacion të rëndësishëm historik, kulturor dhe turistik.
Klosi, vlerësohet të jetë qendra më e hershme urbane në territorin ilir të Bylinëve. Studime të ndryshme dëshmojnë për një proces transformimi urban të një vendbanimi më të hershëm lokal. Sipas tyre, faza më e hershme e ndërtimit të murit rrethues të qytetit daton rreth gjysmës së dytë të shek. V p.e.s., gjë që përcaktuar edhe si datë tradicionale e krijimit të qytetit, i cili më parë, nga autorë të ndryshëm, identifikohej me qendra të ndryshme të antikitetit. Gjithsesi, mes këtyre përcaktimeve, identifikimi më i argumentuar vlerësohet ai Louis Robert (historian dhe epigraf francez), i cili mbi bazën e deshifrimit të një mbishkrimi, u shpreh për qytezën antike të Nikaia.
Nga ana tjetër, Bylis mendohet të jetë themeluar rreth 1 shekull më pas, në mesin e shek. IV. Vendosja e dy qendrave urbane në një distancë rreth 1 km larg njera tjetrës, i ka çuar arkeologët në mendimin se ato formonin një dyqytet, në të cilin, Klosi është njohur si Nikaia edhe në vijimësi. Më saktësishtkemi të bëjmë me bashkekzistencën e dy qyteteve byline të pavarura, por me një lidhje të fortë respektive tradicionale. Madje, ndonëse e paargumentuar plotësisht, nuk përjashtohet edhe mundësia që banorët e Klosit, të kenë qenë ndër themeluesit e Bylis.
1 / 4